Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, dënoi ashpër ditën e enjte dëbimet e fundit të qytetarëve kroatë nga Serbia, duke i cilësuar si “të papranueshme” dhe të pabazuara. Ai theksoi se insinuatat se këta shtetas po ndërhynin në çështjet e brendshme të Serbisë janë të paqëndrueshme dhe kërkoi shpjegime të menjëhershme nga autoritetet serbe. Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë ka dërguar një notë zyrtare proteste në Beograd dhe i ka informuar partnerët e BE-së rreth kësaj ngjarjeje me pasoja për marrëdhëniet ndërfqinjësore.
Ambasadori kroat në Serbi, Hidajet Bishçeviç, deklaroi për mediat lokale se gjatë tre ditëve të fundit janë dëbuar tre shtetas kroatë, përfshirë edhe drejtuesin e Dhomës Kroate të Tregtisë. Kjo ndodh pas rasteve të ngjashme në janar të vitit 2025, kur individë të ftuar në një punëtori të organizuar nga Fondacioni Erste u dëbuan nga Serbia me pretekstin e paraqitjes së kërcënimit për sigurinë kombëtare.
Në një klimë tensioni të rritur, autoritetet serbe kanë akuzuar Kroacinë për përfshirje të shërbimeve të saj sekrete në përpjekje për destabilizimin e qeverisë së Beogradit përmes protestave studentore dhe sektorit civil. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në fund të vitit 2024 foli për ndërhyrje të supozuar të agjencisë kroate të inteligjencës në rrjetin joqeveritar serb, duke përmendur përfshirje indirekte të shërbimeve perëndimore, por pa ofruar prova konkrete.
Kjo situatë ka tensionuar marrëdhëniet mes dy fqinjëve ballkanikë dhe ka ngritur shqetësime në qarqet diplomatike evropiane.