Kosova ndodhet në një ngërç institucional, pasi përpjekjet për formimin e një qeverie të re po hasin në pengesa të shumta.
Avokatja Krenare Vokshi, në një prononcim për “Ballkan Update”, theksoi se roli i Presidentes është i kufizuar vetëm në thirrjen e seancës së radhës dhe se përgjegjësia për formimin e qeverisë bie mbi partinë fituese, e cila duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve.
“Sfidat më të mëdha nuk erdhën nga opozita, e cila ishte e bashkërenduar për të mos çuar përpara seancën, por nga partitë joserbe, që ose abstenuan ose nuk morën pjesë fare në votim”, deklaroi Vokshi.
Nga ana tjetër, kryeredaktori Lavdrim Hamidi vlerësoi se Republika e Kosovës ka nevojë jetike për një qeveri stabile, por me zhvillimet e fundit dhe qëndrimet e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, një qeveri e tillë nuk është e mundur në këtë fazë.
“Nëse arrihet ndonjë marrëveshje, do të kemi një qeveri të dobët që nuk do të mund të marrë vendime të rëndësishme për vendin. Kështu që, me shumë gjasë, në fillim të vitit të ardhshëm Kosova do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare”, shtoi Hamidi.
Pasiguria politike po ndikon në funksionimin e institucioneve dhe ndarjen e përgjegjësive brenda Kuvendit, duke e komplikuar edhe më tej klimën politike në vend. Mungesa e dakordimit me komunitetet joserbe shihet si një faktor kyç në këtë krizë. Kosova, duket se, do të duhet të përballet me sfida shtesë për të arritur stabilitetin dhe për të siguruar një përfaqësim gjithëpërfshirës në qeverisje.