Pas 12 vitesh martesë dhe dy fëmijëve së bashku, Justin Timberlake dhe Jessica Biel mund të jenë në prag të një ndarjeje. Burimet e afërta me çiftin kanë ngritur shqetësime mbi stabilitetin e lidhjes së tyre, duke treguar se ata po jetojnë jetë gjithnjë e më të ndara.
Aktualisht, Timberlake është i angazhuar me turneun e tij “Forget Tomorrow” në SHBA, i cili nuk ka dhënë rezultatet e pritura as nga ana e kritikëve dhe as nga publiku. Ai po përballet me shitje të zbehta biletash dhe komente jo entuziaste për performancën e tij në skenë, çka thuhet të ketë ndikuar jo vetëm në karrierën, por edhe në jetën personale të artistit. Stresi dhe presioni në rritje kanë lënë shenja në marrëdhënien e tij me Biel.
Ndërkohë, Jessica Biel ndodhet në Evropë për projekte filmike dhe është parë rrallë në publik me bashkëshortin e saj. Burime nga rrethi i saj tregojnë se ajo është përqendruar te puna dhe te fëmijët, duke shtuar dyshimet për një distancim emocional midis çiftit.
Spekulimet për një krizë mes tyre janë shtuar edhe më shumë pas mungesës së tyre në evente të përbashkëta kohët e fundit. Megjithëse nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga çifti apo përfaqësuesit e tyre, mediat amerikane raportojnë se ata po vlerësojnë rrugët për të ardhmen e tyre, përfshi edhe mundësinë e një ndarjeje miqësore.
Martesa e Timberlake dhe Biel, dikur shembull i një çifti të qëndrueshëm në industrinë e famës, po përballet me sfida të mëdha, dhe publiku po pret me interes për zhvillimet e ardhshme.