Pas investimeve të mëdha pas tërmetit të vitit 2019, të cilat kulmuan me inaugurimin në vitin 2020 të konvikteve të reja pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, studentët sot përballen me mungesë të kushteve bazë jetësore. Tetë godina të reja, të ndërtuara nga themelet për të strehuar rreth 2200 studentë, nuk ofrojnë ngrohje dhe as ujë të ngrohtë për banorët e tyre.
Shumë prej studentëve janë të detyruar të lahen në godinat e tjera afër, pasi dhomat e tyre nuk kanë ujë të ngrohtë. Kjo situatë jo vetëm që cenon dinjitetin dhe mirëqenien e tyre, por edhe dëmton procesin e tyre arsimor, duke i detyruar të kalojnë kohë shtesë vetëm për plotësimin e nevojave minimale.
Edhe pse godina u prezantuan si struktura me standarde evropiane dhe me një infrastrukturë moderne, realiteti i përditshëm tregon të kundërtën. Studenti S.K., i vitit të dytë, shprehet: “Ngrohtja nuk funksionon fare, dhe për t’u larë duhet të shkojmë në një godinë tjetër që ka ujë të ngrohtë. Edhe mundësitë për të gatuar janë zero”.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura të studentëve dhe prindërve për përmirësim të kushteve, institucionet përgjegjëse ende nuk kanë sjellë zgjidhje konkrete. Për më tepër, mungesa e transparencës për mirëmbajtjen e ndërtesave shton pakënaqësinë ndaj administratës universitare.
Një konvikt nuk është vetëm një vend për të fjetur, por një ambient që ndikon drejtpërdrejt në rezultatet akademike dhe mirëqenien psikologjike të studentëve. Për këtë arsye, është urgjente që autoritetet përkatëse të ndërhyjnë dhe të ofrojnë kushte të denja për jetesë. Përndryshe, modelit të konvikteve “me standarde evropiane” do t’i mbetet vetëm emri.