Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria shqiptare po punon me hapa të sigurt në drejtim të modernizimit të administratës publike, duke integruar inteligjencën artificiale në ofrimin e shërbimeve. Një nga projektet kyçe që synon këtë transformim është karta elektronike e identitetit, një dokument që do të përmbushë standardet më të avancuara të teknologjisë dhe sigurisë. Rama theksoi se edhe Bashkimi Europian ende nuk e ka implementuar këtë teknologji, ndërkohë që Shqipëria është ndër vendet e para që po e zhvillon.
Gjatë fjalës së tij, Rama solli në vëmendje sfidat e sigurisë kibernetike, duke kujtuar sulmin e rëndë të orkestruar nga Irani, një nga fuqitë më të mëdha të terrorizmit digjital në botë. Ai nënvizoi se pavarësisht rrezikut të madh, sulmi u neutralizua pa pasoja të mëdha, falë përgatitjes dhe reagimit profesional të strukturave mbrojtëse.
Në vitin e kaluar janë regjistruar 44 sulme serioze kibernetike, ndërsa vetëm në vitin 2023 ka pasur 63 të tilla, të gjitha të zbrapsura në heshtje. Sipas Ramës, publiku nuk është vënë në dijeni për to, pasi sulmet që ndalohen në kohë nuk bëjnë lajm.
Kryeministri vlerësoi kontributin e Agjencisë së Re të Mbrojtjes Kibernetike dhe drejtuesit të saj, Igli Tafa, për punën e palodhur dhe bashkëpunimin e ngushtë që ka bërë të mundur ndërtimin e asaj që ai e quajti një nga fuqitë më të avancuara të mbrojtjes kibernetike në Europë. Kjo arritje, sipas tij, është themeli i sigurisë digjitale të shtetit dhe pjesë thelbësore e strategjisë kombëtare për modernizimin e administratës.