Tirana ka shpërdoruar një nga shanset më të rëndësishme të sezonit për të marrë në dorë fatin e saj në garën për mbijetesë, duke pësuar një disfatë të rëndë përballë Teutës në “Arenën Kombëtare”. Bardheblutë ishin përballë një kundërshtari që nuk kishte shumë objektiva në renditje, por dështuan të shfaqin ndonjë lloj kohezioni apo dëshire për të fituar një betejë vendimtare.
Humbja përballë durrsakëve nuk ishte vetëm një çështje rezultati, por një tregues i qartë i krizës së thellë që ka pllakosur klubin nga kryeqyteti. Përballë një Teute të organizuar dhe cinike, ekipi i drejtuar nga Bledi Shkëmbi u shfaq i paide dhe emocionalisht i mpirë, pa ide të qarta loje dhe pa reagim në momentet kyçe.
Kjo humbje e ka vendosur Tiranën në një pozitë alarmante, duke e lënë fatin e saj në mëshirën e rezultateve të rivalëve – veçanërisht Dinamos, që tashmë mban në dorë çelësin për mbijetesën e bardhebluve. Pas dekadash dominimi dhe krenarie, Tirana ndodhet në një nga momentet më të errëta të historisë së saj moderne.
Ironikisht, një pjesë e fatit të sezonit qëndron tani në duart e një prej rivalëve të përjetshëm. Një situatë që flet shumë për rrënimin gradual institucional, teknik dhe moral të një prej klubeve më të mëdha të futbollit shqiptar. Nëse Dinamo zgjedh të luajë për të fituar, Tirana mund të përfundojë atje ku askush nuk e kishte imagjinuar – në Kategorinë e Parë.
Mbijetesa tashmë nuk është më në dorën e Tiranës: ajo është në dorë të historisë, të fatit dhe… Dinamos.