Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim të thelluar ndaj bankave kryesore në Shqipëri, të dyshuara për abuzime në tregun 16 milionë euro të sigurimit të jetës së debitorëve. Sipas njoftimit zyrtar, hetimi është iniciuar mbi bazën e dyshimeve për shkelje të neneve 4 dhe 9 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, që ndalojnë marrëveshjet ose praktikat e bashkërenditura dhe abuzimin me pozitën dominuese në treg.
Çështja thelbësore lidhet me mënyrën sesi bankat kanë ndërmjetësuar shitjen e policave të sigurimit të jetës për klientët debitorë të kredisë. Këto sigurime, që zakonisht shërbejnë si garanci për shlyerjen e kredisë në rast se debitori humbet jetën, janë shitur nga bankat përmes kompanive të sigurimeve me të cilat ato kanë pasur marrëveshje të privilegjuara.
Dyshimet, sipas Autoritetit, lidhen me faktin që klientët nuk janë lejuar të zgjedhin lirshëm ofruesin e sigurimit, por janë detyruar të marrin policat përmes bashkëpunëtorëve të caktuar nga banka. Kjo praktikë mund të ketë kufizuar konkurrencën dhe të ketë ndikuar në çmime jo të favorshme për konsumatorët.
Për vitin 2023, tregu i sigurimit të jetës së detyrueshme për debitorët e kredive vlerësohet në rreth 16 milionë euro, shifër që përbën një pjesë të rëndësishme të tregut të sigurimeve në vend.
Nëse hetimi konfirmon shkeljet, bankat përballen me gjoba të ndjeshme dhe rishtas me detyrimin për të ndryshuar praktikat e tyre tregtare. Autoriteti njoftoi se do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për të garantuar funksionimin e një tregu të hapur dhe konkurrues në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve.