Në një ceremoni zyrtare në Podgoricë, është hapur ndërtesa e re e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi. Ambasadorja Judy Rising Reinke theksoi se objekti, i ndërtuar me gur nga Nikshiçi, simbolizon respektin dhe miqësinë e thellë mes SHBA-së dhe Malit të Zi. Ajo vuri në pah sfidat globale me të cilat përballet Amerika dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të sjellë prosperitet gjithandej komunitetit demokratik.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e cilësoi hapjen e ambasadës si një gur themeli në përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ai theksoi se parimet e përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë janë bërthama e këtij partneriteti, duke shprehur besimin se Mali i Zi, si anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian, do të jetë një mik i fortë i SHBA-së brenda familjes evropiane.
Drejtoresha e Zyrës Amerikane për Ndërtimin e Objekteve Jashtë Shtetit (OBO), Patricia Lesina, foli për investimin e qëndrueshëm të SHBA-së në Mal të Zi, duke theksuar impaktin ekonomik vendor prej rreth 71 milionë dollarësh. Investimi total për kompleksin është 264 milionë dollarë, ndërsa faza e dytë e ndërtimit, që parashikohet të përfundojë deri në vitin 2027, do të përfshijë edhe dy objekte të tjera.
Kompleksi i ri është projektuar sipas standardeve më të avancuara të sigurisë dhe efikasitetit energjetik, duke reflektuar përkushtimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara ndaj stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit të Malit të Zi.