Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen tronditëse të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, duke i dhënë një drejtim të ri hetimeve. Burime pranë policisë italiane konfirmojnë se gjurmë të ADN-së së një burri tjetër janë zbuluar në valixhen ku u gjet trupi i pajetë i vajzës. Kjo zbulese e fundit forcon dyshimet e hetuesve se autori i arrestuar, Mark Samson, mund të mos ketë vepruar i vetëm.
Deri më tani, autoritetet kishin përqendruar hetimet te 23-vjeçari i njohur për precedentë të mëparshëm penalë. Ai u arrestua menjëherë pasi kamerat e sigurisë në stacionin qendror identifikuan lëvizjet e tij në kohën kur dyshohet se valixhja me trupin u transportua. Megjithatë, me gjetjen e këtyre gjurmëve të tjera biologjike, hetimet kanë hyrë në një fazë shumë më të thelluar.
Ekspertët forensikë pritet të krahasojnë gjurmët me databazat e ADN-së për të identifikuar nëse kanë të bëjnë me ndonjë person të njohur për policinë. Në të njëjtën kohë, prokuroria ka kërkuar analizimin e komunikimeve telefonike të viktimës dhe të të dyshuarit për të identifikuar kontakte të mundshme të përfshira në krim.
Rasti ka gjeneruar një valë reagimesh në mediat italiane dhe shqiptare, ndërsa familja e Ilaria Sulës ka bërë thirrje për drejtësi. Sipas avokatit të tyre, zbulimi i gjurmëve të një burri tjetër në valixhe është një element që ndryshon rrënjësisht dinamikën e ngjarjes.
Përfundimet e analizave të plota priten në ditët në vijim, ndërsa autoritetet janë të bindura se të vërtetat që do të dalin nga kjo hetim do t’i shërbejnë ndriçimit të plotë të krimit makabër.