Në shtëpinë e Atalantës këtë sezon ëndërronin për arritje madhore. Ekipi kishte ndërtuar një identitet solid nën drejtimin e trajnerit Gian Piero Gasperini dhe për një kohë të gjatë shihej si një ndër pretendentët kryesorë për titullin në Serie A. Por dy humbjet radhazi kundër Fiorentinës dhe Interit i larguan bergamaskët nga gara reale, duke i bërë 9 pikë larg kreut vetëm 8 javë nga fundi i kampionatit – një diferencë thuajse e pakalueshme.
Lodhja psikologjike dhe fizike, por edhe mungesa e qëndrueshmërisë në momentet kyçe, janë mes arsyeve që kanë penalizuar ekipin. Ndërkohë, në sfidën e radhës ndaj Romës në kryeqytet, Gasperini ndodhet para një tjetër prove të vështirë – jo vetëm në fushë, por edhe pas saj. Mediat italiane raportojnë për një “listë të zezë” që e pret në “Stadio Olimpico”, e përgatitur nga tifozët romanë, të cilët nuk e kanë harruar një seri deklaratash dhe episode të mëhershme me trajnerin e Atalantës.
Kjo përballje do të ketë një ngarkesë të dyfishtë: Atalanta nuk mund të lejojë më hapa fals nëse do të ruajë shpresat për një vend në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa Roma, nën drejtimin e De Rossit, është në ngritje të formës. Gjimshiti dhe shokët duhet të reagojnë menjëherë në këtë periudhë delikate, për të shpëtuar një sezon që nisi me ëndrra të mëdha por që rrezikon të përfundojë pa objektiva realë.
Për Gasperinin, kjo sfidë do të jetë më shumë se një ndeshje: është një betejë për kredibilitetin dhe qëndrueshmërinë e projektit të tij në Bergamo.