Franca po ndërmerr masa gjithnjë e më të rrepta për të kontrolluar përdorimin e telefonave celularë në shkollat e mesme, një hap që synon përmirësimin e përqendrimit dhe të rezultateve mësimore të nxënësve. Sipas një plani të ri të prezantuar nga Ministrja franceze e Arsimit, nxënësit e moshës nga 11 deri në 15 vjeç do të detyrohen t’i çaktivizojnë pajisjet elektronike në fillim të ditës mësimore dhe t’i vendosin ato në çanta ose dollapë, pa pasur mundësinë t’i përdorin deri në përfundim të mësimit.
Ministrja deklaroi në Senatin Francez se shqetësimet në rritje për efektet negative të celularëve në përqendrim, rezultatet akademike dhe mirëqenien mendore e sociale të nxënësve kërkojnë një ndërhyrje të vendosur. “Nuk bëhet fjalë për një dënim, por për një mbrojtje: për të mbrojtur fëmijët tanë nga varësia digjitale dhe për të rivendosur qetësinë dhe vëmendjen në klasa”, theksoi ajo.
Kjo nismë e re është një zgjerim i ndalimit ekzistues të celularëve në shkollat fillore dhe po shihet si pjesë e një politike më të gjerë për të përballuar ndikimin e qëndrimit të gjatë para ekraneve. Ekspertët e arsimit në Francë theksojnë se përdorimi i pakufizuar i telefonave në shkolla ka kontribuar në shpërqendrim të nxënësve, përhapjen e bullizmit digjital dhe uljen e ndërveprimve sociale.
Për të monitoruar zbatimin e këtij vendimi, shkollat pritet të vendosin udhëzime të qarta si dhe të rrisin ndërgjegjësimin midis prindërve dhe nxënësve. Plani synon të krijojë një ambient më të shëndetshëm dhe të përqendruar në mësim, ku teknologjia përdoret me përgjegjësi dhe në mënyrë të kontrolluar.