Kosova ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në drejtësi, duke lëshuar fletarrestim ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile. Sipas dokumentit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të datës 15 prill, Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, akuzohet për bashkëpjesëmarrje në vrasjen e 106 civilëve shqiptarë në Gjakovë gjatë majit të vitit 1999. Trupat e viktimave u gjetën më pas në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se hetimet kanë nisur më 18 mars 2025 dhe kanë kërkuar nga gjykata lëshimin e fletarrestimeve. Dokumentet gjyqësore zbulojnë se grupi serb arrestoi dhe mbajti në kushte çnjerëzore mbi 300 shqiptarë, shumë prej të cilëve u transferuan në burgje të ndryshme të Kosovës dhe u liruan vetëm pas qershorit 1999 me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.
Ndërkohë, autoritetet kosovare nuk kanë dijeni për vendndodhjen e të kërkuarve, përfshirë Llazar Drashkoviqin, që gjithashtu kërkohet për masakrën e Mejës.
Radoiçiq aktualisht kërkohet edhe për sulmin e armatosur në Banjskë në 2023, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Për këtë rast, ndaj tij është ngritur aktakuzë dhe ka nisur një proces gjyqësor në Kosovë.
Për shkak të mungesës së të pandehurve, drejtësia kosovare mund të zhvillojë gjykime në mungesë vetëm pasi të ketë shterrur të gjitha mundësitë për sigurimin e pranisë së tyre.
Deri më sot, mbi 13.000 civilë kanë humbur jetën gjatë luftës 1998-‘99, dhe mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, shumica shqiptarë.