Eris Mehmetaj, 37-vjeçari i arrestuar dy ditë më parë në Tiranë, ka dhënë dëshminë e tij përpara hetuesve në lidhje me vrasjen e Renato Hoxhajt, ngjarje e cila tronditi Vlorën mëngjesin e së dielës. Sipas Mehmetajt, ai nuk ka asnjë lidhje me ekzekutimin e 58-vjeçarit, edhe pse ka pranuar se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësinë e tij.
Në deklaratën e tij është shprehur se makina është e regjistruar në emrin e tij, por sipas tij ajo është përdorur nga persona të tjerë kohët e fundit. “Po, makina është e imja, por prej disa javësh nuk e përdor. Nuk e di kush mund ta ketë pasur në dispozicion ditën e ngjarjes,” ka thënë ai gjatë marrjes në pyetje.
Autoritetet kanë zbuluar se automjeti i dyshuar është përdorur për t’u larguar nga vendi i krimit. Megjithatë, Mehmetaj ka pohuar se nuk ndodhej as në Vlorë dhe se mund ta provojë alibinë e tij përmes kamerave të sigurisë dhe dëshmitarëve. Kjo deklaratë pritet të verifikohet nga strukturat hetimore përmes analizës së lëvizjeve dhe komunikimeve të tij.
Nga ana tjetër, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori i dyshuar i krimit është ende në kërkim, ndërkohë që pista kryesore e hetimeve mbetet ajo e një konflikti të hershëm me motive personale. Gjithashtu, priten rezultatet e ekspertizës kriminalistike për të zbuluar më shumë prova të mundshme në automjetin e sekuestruar.
Ndërkohë, policia vazhdon kërkimet për të identifikuar bashkëpunëtorët e mundshëm dhe për të zbardhur plotësisht ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Vlorës.