Elbasani po përjeton një nga momentet më të mira në këtë edicion futbollistik, jo vetëm përsa i përket rezultateve në fushë, por edhe në aspektin fizik dhe rikuperimit të lojtarëve kryesorë. Skuadra verdheblu, që po përgatitet për ndeshjen vendimtare kundër Partizanit – një “finale” që mund të përcaktojë ecurinë sezonale – ka marrë lajme pozitive sa i takon grupit të lojtarëve të dëmtuar.
Pas rikthimit të mbrojtësit Esin Hakaj në ndeshjen e fundit, trajneri shkodran Nevil Dede pritet të ketë në dispozicion edhe Emiljano Mustën për sfidën ndaj “demave të kuq”. Musta, një nga lojtarët me përvojë dhe vendosmëri në krahun e majtë të fushës, ka përparuar ndjeshëm në fazën e rikuperimit dhe në stërvitjet e fundit është parë në gjendje mjaft të mirë fizike.
Përveç tij, ka shpresa reale që edhe Arsen Kasa të jetë pjesë e ekipit kundër Partizanit. Mesfushori ka qenë një element kyç gjatë sezonit dhe mungesa e tij ka ndikuar në ndërtimin e lojës. Megjithatë, mjekët dhe stafi teknik janë optimistë për një rikthim të menjëhershëm të tij, çka do të forconte ndjeshëm repartin qendror të Elbasanit.
Kthimi i këtyre elementëve në prag të një ndeshjeje vendimtare vjen në momentin e duhur dhe i jep më shumë alternativë trajnerit për të ndërtuar një formacion konkurrues dhe të balancuar në të gjitha repartet. Elbasani po e përgatit këtë sfidë me qetësi e fokus maksimal, ndërsa rikuperimi gradual i grupit ofron një besim të shtuar në arritjen e objektivave sezonalë.