Zvëndëstrajneri i Egnatias, Julian Brahja, foli para sfidës së rëndësishme ndaj Skënderbeut, duke nënvizuar seriozitetin dhe përgatitjen e skuadrës për këtë ndeshje të kampionatit. Ai theksoi se, pavarësisht disa mungesave të rëndësishme në formacion, atmosfera në grup ka qenë pozitive dhe përgatitjet kanë shkuar në drejtimin e duhur.
“Pothuajse e gjithë java ka kaluar mirë. Çunat janë të përqendruar dhe të gatshëm për sfidën. Sigurisht që kemi disa mungesa që tashmë njihen, por ekipi është i përgatitur për të realizuar detyrat e veta,” deklaroi Brahja.
Ai tregoi vlerësim të veçantë për kundërshtarin e rradhës, duke theksuar se Skënderbeu është një skuadër cilësore dhe nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë. “Skënderbeu është një ekip i mirë, e njohim mirë dhe e dimë stilin dhe organizimin e tyre taktik. Janë një grup që luan me disiplinë dhe entuziazëm dhe duhet përgatitje maksimale për t’u përballur me ta.”
Kur u pyet rreth ndryshimeve të mundshme në formacionin bazë, Brahja theksoi se nuk do të ketë shumë lëvizje. “Nuk do kemi shumë ndryshime. Kemi ndërtuar një strukturë stabël dhe duam ta ruajmë balancën për të mos cenuar harmoninë e ekipit,” shtoi ai.
Angazhimi i stafit dhe futbollistëve tregon dëshirën e madhe të Egnatias për të ruajtur ritmin pozitiv dhe për të vijuar me rezultate pozitive në garën e Kategorisë Superiore. Ndeshja ndaj Skënderbeut pritet të jetë një test i vështirë, por Egnatia duket e vendosur për të shfaqur qëndrueshmëri dhe organizim në fushë.