Nga Kuçova, ku dikur shërbente si drejtues politik, kryeministri Edi Rama reagoi me tone të ashpra ndaj deklaratave të deputetit demokrat Tomorr Alizoti, duke e krahasuar atë me një personazh filmik – Ludovikun – dhe duke e quajtur ‘çyryk’, si simbol i retorikës së vjetër që, sipas tij, karakterizon Partinë Demokratike sot. “Thonë janë njisha, por janë nga ata njisha që janë për t’u ndjerë keq…”, deklaroi Rama, duke ironizuar gjendjen aktuale të opozitës.
Në vijim të turit elektoral, Rama ndaloi edhe në Dimal, ku adresoi çështjen e partive të reja. Ai rimori shembullin e LSI-së si një strukturë që, në të kaluarën, u transformua në pengesë për vendin. Duke aluduar për partitë e reja opozitare, Rama tha se ato, ndonëse “të reja në moshë dhe fytyrë”, nuk përfaqësojnë asgjë të re në përmbajtje, duke rrezikuar, sipas tij, kthimin në mentalitetet dhe krizën politike të së kaluarës.
Kryeministri e cilësoi votën më 11 maj si zgjedhje për stabilitetin demokratik të vendit dhe për vazhdimësinë e punës së SPAK, duke theksuar se “numri pesë nuk është vetëm një votë për integrimin europian, por një garanci për drejtësinë”.
Në një koment tjetër polemik, Rama i rikujtoi publikut ngjarjen e kontratës lobuese prej 6 milionë dollarësh nga ish-kryeministri Sali Berisha në SHBA. “6 milionë dollar për të pastruar tatuazhin në ballë, por kur vjen puna për popullin e thjeshtë, nuk nxjerrin asnjë qindarkë”, u shpreh ai. Ky mesazh synon të krijojë kontrast mes qeverisjes aktuale dhe mënyrës si qeverisjet e mëparshme kanë trajtuar fondet dhe interesin publik.