Në një takim të zhvilluar në Kurbin me vajzat dhe gratë e qarkut Lezhë, kryeministri dhe njëherazi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, shtjelloi me tone humori e vetëreflektimi deklaratën e tij të komentuar gjerësisht se “pa gratë, burrat janë çyryk, përfshirë edhe vetveten”.
“Janë mërzit disa pse u them burrave ‘çyryk’. Mund të jenë më shumë se gjysmë, por s’ka problem, sepse edhe unë pa gruan time jam ndërtim pa leje”, u shpreh Rama me ironi, duke nënvizuar rolin jetik të grave në shoqëri dhe politikë. Duke iu drejtuar vajzave, ai i inkurajoi që të mos tolerojnë marrëdhënie ku partnerët zgjedhin “kënetën, jo Bashkimin Europian” – një referencë ndaj kundërshtarëve politikë dhe mënyrave të vjetra të të bërit politikë.
Rama theksoi gjithashtu se për të, vota e grave është vendimtare. “Edhe në Lezhë, gratë janë më të shumta se burrat. Lezha, Mirdita – gra. Kurbin burrë, por edhe ai s’bëhet pa grua,” – tha ai, duke aluduar për potencialin elektoral që mbart gjinia femërore në këto zgjedhje.
Ai hodhi poshtë idenë se zgjedhjet e 11 majit janë thjesht garë mes partish, duke i quajtur një zgjedhje mes rrugës drejt Bashkimit Europian, që sipas tij sigurohet vetëm me PS-në në qeveri, dhe stagnimit me forcat e tjera politike. Rama paralajmëroi se një ndërrim kursi mund të vonojë integrimin e vendit në BE për një periudhë të pacaktuar.
Në fund, shpalli objektivin për Lezhën – një përmbysje zgjedhore me rezultat 4–3 në favor të Partisë Socialiste, duke rritur tonin optimist për fitoren në këtë qark.