Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në përmbyllje të turit elektoral në 12 qarqet e vendit, u ndal në qytetin e Kuçovës, ku theksoi se reforma në drejtësi është dëshmia më e qartë se kërkesa e tij për “timoni vetëm” ka dhënë frytet e veta. Duke folur me elektoratin socialist, Rama tha se drejtësia sot po vepron mbi baza të barabarta dhe godet si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Sipas tij, barazia para ligjit është ideale themelore për një shoqëri që synon integrimin europian dhe garant i kësaj barazie është Partia Socialiste. “Kur kërkoja timonin vetëm, nuk bëja propagandë. Ndodhi ajo që shumë nuk e besonin: drejtësia u bë e pavarur dhe sot nuk mban anë politike”, u shpreh Rama. Ai rikujtoi rezistencën e dikurshme ndaj reformës në drejtësi dhe tha se vendosmëria e PS-së për të çuar përpara këtë reformë ka qenë kyçe për suksesin aktual.
Kryeministri duket i vendosur të theksojë se SPAK dhe institucionet e drejtësisë duhet të mbështeten, jo të përdorën për retorika politike elektorale apo kërcënime. “Kur dëgjon dikë që thotë se do shkrijë SPAKun dhe të tjerë që bëjnë sikur e mbrojnë nga ne, e kupton se ka ende rrezik që drejtësia të kthehet mbrapa,” përmendi ai.
Rama përcolli një mesazh të qartë: drejtësia pa ndërhyrje politike është arritje e përbashkët, por mbi të gjitha një meritë e Partisë Socialiste që garantoi vullnetin politik për reformën. Kjo përbën, sipas tij, themelin për një Shqipëri evropiane dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.