Një film i ri dokumentar me regji të regjisorit të njohur Vranin Gecaj do të prezantohet së shpejti në Shqipëri, duke sjellë një pasqyrim të thellë të trashëgimisë kulturore arbëreshe dhe lidhjeve të saj historike me popullin shqiptar. Dokumentari, i titulluar “Gjaku i shpërndarë i shqiptarëve”, është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes shoqatës “Arbëria” të Lungro-s dhe komunitetit arbëresh të “Piana degli Albanesi” në Itali.
Xhirimet u realizuan në qytetin e Lungros, Kalabri, gjatë aktivitetit kulturor “Skënderbeu, Princi i Arëbrisë”, i mbajtur më 1 mars 2025. Ky aktivitet mblodhi së bashku përfaqësues të komuniteteve arbëreshe, studiues, artistë dhe përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova, për të përkujtuar dhe nderuar figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut si simbol i trashëgimisë së përbashkët.
Dokumentari shqyrton rrënjët historike të arbëreshëve, të shpërngulur nga trojet shqiptare gjatë shekujve XV-XVI për të shpëtuar nga pushtimi osman, dhe ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe zakoneve shqipe ndër breza. Me intervista ekskluzive, pamje autentike dhe një strukturë të kujdesshme narrative, filmi sjell një pasqyrim emocionues të një kulture që frymon shqip larg atdheut.
Ky projekt përfaqëson një urë simbolike dhe aktuale midis Kalabrisë dhe Shqipërisë, duke forcuar dialogun kulturor mes dy vendeve dhe duke promovuar ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë. Prezantimi i dokumentarit në Shqipëri pritet të nxisë interesin e institucioneve kulturore dhe të rinjve për të rikthyer vëmendjen ndaj komuniteteve arbëreshe si pasuri e gjallë e trashëgimisë shqiptare.