Përballë sfidave të rritura të globalizimit, raporti më i fundit i Indeksit Global të Diversifikimit Ekonomik 2025 evidenton sfidat strukturore me të cilat përballet Shqipëria. Në renditjen e këtij viti, vendi ynë pozicionohet në vendin e 84 nga 130 ekonomi të vlerësuara, duke grumbulluar një rezultat prej 81 pikësh nga 100 të mundshme. Megjithëse kjo paraqet një përmirësim minimal nga vitet e mëparshme, Shqipëria mbetet prapa në tre shtylla themelore: prodhim, tregti dhe të ardhura.
Raporti analizon kapacitetin e ekonomive për të gjeneruar të ardhura në mënyrë të balancuar, të eksportojnë mallra dhe shërbime të shumëllojshme dhe të zhvillojnë sektorë produktivë me vlerë të shtuar. Në këtë kontekst, ekonomia shqiptare vazhdon të mbështetet fuqimisht te remitancat dhe importet, me nivel të ulët të prodhimit të brendshëm industrial dhe një bazë të ngushtë eksportesh të përqendruara kryesisht në lëndë të para dhe shërbime turistike sezonale.
Në krahasim me vendet e rajonit, si Serbia apo Maqedonia e Veriut, Shqipëria tregon një shkallë më të ulët të sofistikimit ekonomik dhe integrimit në zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës. Kjo ndikon në rritjen e pasigurisë ekonomike dhe e bën vendin më të cenueshëm ndaj krizave globale.
Ekspertët rekomandojnë përmirësimin e klimës së biznesit, nxitjen e investimeve në teknologji dhe inovacion, si dhe reformimin e sektorëve strategjikë si bujqësia, industria përpunuese dhe arsimi profesional. Vetëm përmes një strategjie të qëndrueshme që promovon diversifikim real, Shqipëria mund të ndërtojë një ekonomi më rezistente dhe konkurruese në dekadat që vijnë.
Ky indeks shërben si thirrje për reflektim dhe veprim për politikëbërësit shqiptarë që të trajtojnë burimet e brishtësisë dhe të hedhin themelet për një zhvillim afatgjatë.