Edhe mbledhja e dytë e thirrur për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës dështoi sërish, duke thelluar krizën institucionale dhe duke ushqyer akuzat se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po zgjatin qëllimisht procesin për të fituar kohë për pazare politike. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se pas përpjekjeve për t’i mbledhur përfaqësuesit e subjekteve politike në një sallë të veçantë për konsultime, nuk u arrit dakordësi as për votimin e raportit të Komisionit për Mandatet. Një pjesë e përfaqësuesve madje e braktisën takimin.
Kjo situatë po përceptohet gjithnjë më shumë si një manovër për të vonuar formimin e institucioneve dhe për të siguruar mbështetjen e nevojshme për qeverisje nga Vetëvendosje. Kjo parti, që ndonëse rrëmbeu bindshëm fitoren në zgjedhje, ende nuk ka siguruar shumicën e domosdoshme për të formuar një qeveri funksionale.
Shtyrja e vazhdueshme e seancave nxit dyshime për prapavija të fshehta negociatash dhe i jep terren pretendimeve të opozitës se Kurti po tallet me Kuvendin dhe demokracinë parlamentare. Me mbledhjen e radhës të caktuar për datën 19 prill, në orën 12:00, qytetarët mbeten dëshmitarë të një ngërçi institucional që, përtej retorikës, rrezikon të thellojë mosbesimin ndaj klasës politike.
Mungesa e transparencës dhe komunikimit të qartë nga VV dhe aktorët e tjerë politikë e bën të vështirë besimin publik se zgjidhja e kësaj krize është pranë. Në vend të përqëndrimit tek sfidat reale që e presin vendin, Kosova po ngërthehet në një luftë numrash dhe prapaskenash që minojnë sistemin demokratik dhe vonojnë agjendën reformuese.