Kryeministri Edi Rama, nga një bashkëbisedim me të rinjtë e njësive 1, 2 dhe 3 në Tiranë, ka sulmuar me tone ironike partitë opozitare dhe kanditatët e nxjerrë nga procesi i primareve të Partisë Demokratike. Duke iu referuar forcave politike të reja, Rama i etiketoi si “shitës qilimash fluturues”, një metaforë për figurat politike që premtojnë ndryshim vetëm me një imazh të ri dhe moshë të ulët, por pa përmbajtje.
Ai kujtoi skemat mashtruese financiare të viteve ‘90, duke bërë krahasime me premtimet boshe që, sipas tij, përsëriten edhe sot nga opozita. “Qilimat që kanë të re vetëm fytyrën dhe moshën, sikur të ishin në vitin ‘97 me miliona lekë që zhduken brenda një jave”, tha ai, duke paralajmëruar qytetarët të bëjnë dallimin mes qëndrueshmërisë dhe populizmit të momentit.
Rama nuk la jashtë kritikash as procesin e primareve të PD-së, duke ironizuar se më shumë deputetë të kësaj force kanë ardhur nga formate televizive si “Big Brother” sesa nga gara e brendshme për përfaqësim demokratik. “E patë, më shumë deputetë ka PD nga Big Brother se nga primaret”, theksoi ai, duke vënë në dyshim seriozitetin dhe funksionalitetin e procedurës.
Në të njëjtin fjalim, ai theksoi qëllimin e PS për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, duke deklaruar se tani është momenti i saj i duhur, ashtu siç ishte momenti i PD-së në vitet ‘90. Për Ramën, përfshirja politike nuk duhet të jetë tifozllëk, por një zgjedhje me vizion kombëtar dhe europian. Ai theksoi se beson se vetëm me stabilitet dhe qartësi strategjike Shqipëria mund të arrijë integrimin e merituar.