Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit elektoral në Gjirokastër me pensionistët, njoftoi një sërë masash të reja në mbështetje të shtresave në nevojë, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. I shoqëruar nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Rama theksoi se qeveria do të dyfishojë mbështetjen për nënat që kujdesen për fëmijët me aftësi të veçanta.
“Janë 6000 nëna që shteti i mbështet për fëmijët e veçantë. Do ta dyfishojmë këtë ndihmë. Kujdesi për ta është i jashtëzakonshëm dhe kërkon mbështetje të veçantë,” deklaroi Kryeministri.
Për pensionistët, Rama bëri të ditur se do të zgjerohet grupmosha që përfiton nga kontrolli mjekësor falas (Check Up). Sipas tij, kjo masë ka rezultuar shumë efektive në parandalimin e sëmundjeve, duke i dhënë qytetarëve informacion të vlefshëm mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Një tjetër çështje e rëndësishme është ajo e njohjes së pensioneve për shqiptarët që kanë punuar në Greqi dhe Itali. Rama konfirmoi se marrëveshja me Italinë do të nisë zbatimin në qershor, ndërsa për Greqinë janë nisur negociatat, të cilat konsiderohen më komplekse për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë atje.
“Marrëveshja me Greqinë është më e vështirë, por sapo të bëhemi pjesë e BE-së dhe të kemi pasaportën europiane, statusi i qytetarëve tanë atje do të ndryshojë thelbësisht. Nuk do të jetë nevojë as për pasaportë greke më,” theksoi Rama.
Këto masa vijnë si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar ndjeshëm jetën sociale dhe ekonomike të qytetarëve, veçanërisht shtresave vulnerabël.