Në prag të ndeshjes kundër Nottingham Forest, trajneri i ri i Manchester United, Ruben Amorim, ka hedhur poshtë me vendosmëri thashethemet për një transferim të mundshëm të Bruno Fernandes te Real Madridi. Në një deklaratë të qartë për mediat, Amorim theksoi se mesfushori portugez nuk është në planet për t’u larguar nga “Djajtë e Kuq” dhe as që bëhet fjalë për një kalim në kryeqytetin spanjoll.
“Bruno Fernandes në Real Madrid? Nuk do të ndodhë. Ai nuk po shkon askund,” u shpreh Amorim para gazetarëve. Ai shtoi më tej se kapiteni i United është pjesë thelbësore e projektit të klubit për të ardhmen: “Një ditë ne duam të fitojmë përsëri Premier Leaguen. Pra, ne duam që lojtarët tanë më të mirë të qëndrojnë. Jepni fund spekulimeve.”
Amorim, i cili vetëm së fundmi ka marrë drejtimin e ekipit pas një sezoni zhgënjyes, ka nënvizuar se rikthimi i United në majat e futbollit anglez është prioriteti kryesor dhe se yje si Fernandes janë themeli mbi të cilin do të ndërtohet suksesi në të ardhmen.
Thashethemet për një interes të Real Madridit ndaj Fernandes janë intensifikuar në javët e fundit, veçanërisht pas paraqitjeve të tij të qëndrueshme dhe liderizmit në fushë. Megjithatë, deklarata e Amorimit vjen si një qetësim për tifozët e United, të cilët e konsiderojnë mesfushorin një nga figurat më të rëndësishme në skuadër.
Në një moment kur klubi kërkon stabilitet dhe rindërtim, qëndrueshmëria e lojtarëve kyç si Bruno Fernandes mund të jetë çelësi për rikthimin e lavdisë.