Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka njoftuar se do të përdorë teknologjinë Deep Packet Inspection (DPI) për të ndërprerë aksesin në aplikacionin TikTok në Shqipëri. Megjithëse justifikohet si një masë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e të rinjve, ky vendim ka ngjallur shqetësime serioze në mesin e ekspertëve të teknologjisë dhe mbrojtësve të të drejtave dixhitale.
DPI është një teknologji e cila lejon analizën e thellë të trafikut të internetit, përfshirë përmbajtjen e paketave të të dhënave që qarkullojnë në rrjet. Kjo nënkupton jo vetëm identifikimin e faqeve apo aplikacioneve të përdorura nga individët, por edhe qasjen në përmbajtjen e tyre potencialisht të ndjeshme. Në mungesë të një ligji specifik dhe të rregullimit të qartë të përdorimit të DPI-së, ekziston rreziku i abuzimeve institucionale me të dhënat personale të qytetarëve.
Ekspertët argumentojnë se ky veprim krijon një precedent të rrezikshëm për censurë dixhitale dhe kontroll shtetëror ndaj aksesit të informacionit. Sipas tyre, mungesa e transparencës në vendimmarrjen e AKSK-së dhe moskonsultimi me shoqërinë civile apo institucione të pavarura rrit dyshimet për përdorim arbitrar të teknologjisë.
Për më tepër, komuniteti i teknologjisë në Shqipëri ka theksuar se bllokimi i TikTok me anë të DPI-së nuk është vetëm çështje teknologjike, por një sfidë për të drejtat themelore si privatësia, liria e shprehjes dhe aksesit në informacion. Ata kërkojnë rishikim të menjëhershëm të këtij vendimi dhe nxitjen e një debati publik me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara.
Në mungesë të garantimit të transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave personale, përdorimi i DPI-së rrezikon të kthehet nga një mjet sigurie në një mjet kontrolli.