Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka folur për herë të parë publikisht për sfidat që ka përjetuar në martesën me bashkëshorten e tij, Michelle Obama, duke zbuluar se dy mandatet e tij në Shtëpinë e Bardhë kanë krijuar një përçarje të thellë në marrëdhënien e tyre. Në një intervistë të sinqertë me presidentin e Kolegjit Hamilton, Stephen Tepper, Obama tregoi për vështirësitë emocionale dhe presionin e jetës presidenciale që ka ndikuar në jetën personale të çiftit.
“Kishte një përçarje të thellë me gruan time,” tha Obama. “Kështu që, pas largimit nga detyra, i kushtova kohë dhe përkushtim për të rindërtuar lidhjen tonë.” Ai theksoi se për vite me radhë, jetë e tyre ishte ndarë mes përgjegjësive të rënda, mungesës së privatësisë dhe orareve të stërzgjatura, faktorë që ngarkuan ndjeshëm marrëdhënien bashkëshortore.
Megjithatë, Obama shtoi se ai dhe Michelle janë duke punuar intensivisht për të ruajtur dhe forcuar martesën e tyre, duke theksuar rëndësinë e komunikimit dhe përkushtimit reciprok. “Martesa është punë e përditshme. Ka momente të vështira, por edhe arsye të pafundme për të qëndruar bashkë,” tha ai.
Kjo deklaratë e rrallë ka sjellë vëmendje mbi sfidat reale që përballojnë edhe çiftet që konsiderohen si modele publike. Historia e Obamave shërben si një kujtesë se edhe dashuritë më të forta kalojnë sprova, por gjithashtu pasqyron rëndësinë e ndërsjelltë të respektit, përkushtimit dhe vullnetit për të punuar së bashku, edhe përtej fushës së politikës.