Ndonëse vetëm 1.5 kilometra larg njësisë nr.6 në Kombinat, banorët e zonës së Mzez Zalit, në rrugën Zalata pranë ish-pularisë, jetojnë prej vitesh në kushte që i përngjajnë periferive të lëna pas dore. Ata kërkojnë vetëm një gjë të thjeshtë: një rrugë të kalueshme dhe heqjen e ujërave të zeza që përmbytin zonën.
Rruga, që përshkon rreth 1 kilometër, është kthyer në një burim shqetësimi të përditshëm. Gropat e mëdha, balta e përhershme dhe ujërat e zeza e bëjnë të pamundur ecjen, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët. Përkundër kërkesave të përsëritura drejtuar institucioneve vendore, nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete.
Banorët theksojnë se e kanë humbur shpresën se do të dëgjohen, pasi për vite të tëra janë premtuar punime që nuk kanë nisur kurrë. Për më tepër, ata ndihen të harruar nga autoritetet, duke pohuar se vetëm etiketohen si banorë të Tiranës, por jetojnë në kushte larg standardeve që kryeqyteti duhet të ofrojë.
Ndërkohë që Tirana modernizohet me projekte të mëdha infrastrukturore, kjo zonë duket se ka mbetur jashtë çdo plani zhvillimi. Banorët kërkojnë vetëm dinjitetin që meritojnë dhe një standard minimal jetese.
Në një kohë kur fokusi publik është tek përmirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët, indinjata e banorëve të Mzez Zalit është një thirrje që nuk duhet të injorohet më. Ndërhyrja për ndërtimin e rrugës dhe sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza nuk është luks, por një nevojë e domosdoshme humane.