Bylisi është përballë një sfide përcaktuese për fatin e sezonit, teksa të shtunën pret në Ballsh skuadrën e Partizanit. Në një duel që pritet me interes të veçantë nga tifozët vendas, ballshiotët janë të vendosur të japin maksimumin për të siguruar fitoren – një rezultat që për ta ka vlerën e arit në garën për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.
Megjithëse Partizani mbetet një prej skuadrave më të forta dhe më të organizuara të kampionatit, historia e këtë sezoni u jep shpresë vendasve. Në përballjet e mëparshme, Bylisi ka treguar karakter të fortë dhe i ka “marrë dorën” të kuqve, duke i vështirësuar jo pak misionin për pikë. Kjo e shton motivimin e skuadrës ballshiote, që e di mirë se përballë do të ketë një ekip që lufton për kreun, por që nuk është i pathyeshëm.
Në stadiumin “Adush Muçaj” pritet një atmosferë elektrizuese, ku entuziazmi i tifozëve shpresohet të shërbejë si një faktor shtesë ndaj një kundërshtari prestigjioz. Trajneri dhe lojtarët janë të vetëdijshëm se çfarë është në lojë: një rezultat pozitiv mund të rikthejë shpresat e mbijetesës reale në fundin e kampionatit dhe të injektojë besim për javët e fundit.
Megjithëse përballja është e vështirë, ballshiotët e dinë se kanë treguar se mund t’ia dalin edhe kundër Partizanit. Me vendosmërinë për ta shndërruar çdo duel në finale dhe faktin që fitorja është alternativa e vetme që vlen, kjo ndeshje pritet të jetë një përballje dramatike për mbijetesën. Fati i Bylisit, ndoshta, do të vendoset pikërisht në këtë 90-minutësh vendimtar.