Një ditë pas atentatit tronditës në Tiranë, detaje të reja janë bërë publike mbi gjendjen shëndetësore të dy vëllezërve të mitur që mbetën të plagosur rëndë. Në sulmin me armë zjarri që ndodhi në zonën e Unazës së Re, një breshëri plumbash goditi automjetin tip “G Class” ku ndodheshin katër persona: shoferi Arens Stafa, 34 vjeç, Kian Mullai, 19 vjeç, dhe vëllezërit Marko Demiraj, 17 vjeç, dhe D.D., vetëm 11 vjeç.
Marko Demiraj, i cili u plagos në pjesën abdominale dhe në gjoks, është nisur me urgjencë për trajtim të specializuar jashtë vendit. Ndërkohë, gjendja e vëllait të tij të vogël, i cili është goditur në kokë, paraqitet kritike dhe mbetet në kujdesin intensiv të spitalit të Traumës në Tiranë. Edhe pse mjekët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetën e tij, prognoza mbetet e pasigurt.
Ndërsa organet hetimore kanë nisur një hetim të thelluar, dyshohet se atentati mund të ketë si objektiv personin që drejtonte mjetin. Megjithatë, ngjarja ka sjellë tronditje të gjerë në opinionin publik, për shkak të përfshirjes aksidentale të të miturve në një akt kriminal.
Familja Demiraj ka bërë apel për ndihmë dhe drejtësi, duke theksuar se fëmijët nuk ishin objektiv i atentatit. Në vijim, pritet që autoritetet të analizojnë kamerat e sigurisë në zonë dhe të marrin dëshmitë e para për të hedhur dritë mbi autorët dhe motivet pas këtij sulmi të rëndë. Shqetësimi për sigurinë publike rritet, sidomos kur viktima të dhunës bëhen të miturit e pafajshëm.