Hetimet për atentatin e ndodhur më 17 prill në zonën e Lundrës kanë sjellë zhvillime të reja që hedhin poshtë një nga pistat kryesore të ngritura fillimisht. Sipas burimeve nga grupi hetimor, është rrëzuar pista se shënjestra e atentatit mund të ketë qenë gruaja e Sidorel Prendit, i njohur ndryshe edhe si Roan Brahimi. Shtetasja me inicialet A.B., e cila banon në këtë zonë, nuk rezulton të ketë qenë e përfshirë apo e lidhur me konfliktin që çoi në plagosjen e katër të rinjve.
Nga analizimi i kamerave të sigurisë është zbuluar se një automjet tip “G Class”, i ndryshëm nga ai që transportonte të plagosurit, ka kaluar në vendngjarje vetëm pesë minuta pas atentatit. Ky detaj ka bërë që grupi hetimor të përqendrohet në lidhjen mes dy automjeteve dhe të mundshmeve të përfshirë.
Ndërkohë, një tjetër detaj me rëndësi është se viktimat nuk kishin lidhje të drejtpërdrejta me shtetasen A.B., gjë që përforcon dyshimet se sulmi ka pasur një motiv tjetër. Megjithëse fillimisht u mendua se A.B. ishte në shënjestër për shkak të lidhjeve të saj me Prendin, provat e reja kanë përjashtuar këtë pistë.
Autoritetet kanë intensifikuar hetimet për të identifikuar autorët dhe motivin konkret të atentatit. Sipas tyre, ngjarja mund të ketë lidhje me konflikte të mëparshme të ndodhura jashtë territorit të Tiranës, çka e komplikon më tej zbardhjen e plotë të çështjes.
Në këtë fazë, nuk përjashtohet asnjë pistë, ndërsa hetuesit po mbledhin dëshmi shtesë për të kuptuar lëvizjet e personave të dyshuar para dhe pas atentatit.