Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska ka penguar hyrjen e zyrtarëve të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) në ndërtesën administrative të këtij entiteti në Sarajevën Lindore, atje ku po zhvillohej një takim me pjesëmarrjen e presidentit Millorad Dodik. SIPA konfirmoi se vepronte bazuar në një urdhër të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, duke shtuar se nuk është përdorur forcë gjatë përpjekjes për të hyrë.
Dodik, së bashku me kryetarin e Parlamentit të RS, Nenad Stevandiq, dhe kryeministrin Radovan Vishoviç, janë të dyshuar për minimin e rendit kushtetues dhe ndaj tyre është lëshuar një fletarrestim qendror në mars. Tre zyrtarët kanë shmangur paraqitjen për marrje në pyetje nga prokuroria shtetërore, ndërsa janë regjistruar disa kalime të tyre jashtë vendit, në kundërshtim me procedurat ligjore të kontrollit kufitar.
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve gjyqësore të Bosnjës për të aktivizuar INTERPOL-in për lëshimin e një njoftimi të kuq ndërkombëtar për arrestimin e Dodikut dhe Stevandiqit, kërkesa nuk është pranuar. Ndërkohë, vendimi i shkallës së parë për Dodikun e dënon atë me një vit burg dhe ndalim të angazhimit politik për gjashtë vjet – dënim që mbetet ende në apel.
Në përgjigje të tensionit në rritje me autoritetet shtetërore, entiteti i Republikës Sërpska ka miratuar legjislacion që ndalon funksionimin e gjykatave dhe institucioneve të hetimit shtetëror në territorin e saj, duke thelluar krizën institucionale dhe sfiduar rendin kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës.