Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të hënën në Podgoricë se BE-ja është duke analizuar gabimet që kanë çuar në ngecjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj, shqyrtimi i thelluar i procesit është thelbësor për t’i dhënë gjallëri përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Kallas theksoi se procesi i analizës po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili mori detyrën në fillim të këtij viti. “Ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi,” theksoi ajo, duke shtuar se “normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për ecurinë e tyre drejt integrimeve evropiane.”
Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim në vitin 2023, të dyja vendet janë kritikuar nga BE për mungesë zbatimi. Kjo ka sjellë një stagnim të procesit dhe rritje të tensioneve, sidomos pas situatave të acarimit në veriun e Kosovës.
Kallas la të hapur idenë e përdorimit të instrumenteve të tjerë përveç dialogut tradicional, në mënyrë që të arrihet përparim real. “Jam e gatshme të shqyrtoj mundësi të tjera, përkrah përfaqësuesit të posaçëm Sorensen,” shprehu ajo për Radion Evropa e Lirë më 2 prill.
Vizita e saj në Podgoricë shënon fillimin e një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor, që përfshin edhe Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën, nga 7 deri më 9 prill, si pjesë e përpjekjeve për të rihapur dhe forcuar marrëdhëniet me rajonin në një moment kritik për procesin e afrimit me BE-në.