Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka ngritur shqetësime serioze mbi mungesën e masave ndëshkuese nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ndaj shoqërive të sigurimit që kanë shkelur rregulloret ligjore në mënyrë të përsëritur. Në raportin vjetor të vitit 2024, i cili trajton periudhën nga 1 janari 2021 deri në fund të vitit të kaluar, KLSH konstaton se pavarësisht identifikimit të shkeljeve sistematike, Bordi i AMF nuk ka ndërhyrë me masa disiplinore ose administrative.
Këto mangësi në reagim, sipas KLSH-së, kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e riskut për stabilitetin e tregut të sigurimeve dhe mund të kenë dëmtuar besimin e konsumatorëve. Raporti thekson gjithashtu se disa nga këto shoqëri kanë pasur shkelje të përsëritura në përmbushjen e detyrimeve kontraktore dhe raportimit financiar, por nuk është marrë asnjë vendim për të kufizuar licencat ose për të vendosur penalitete ekonomike.
Institucioni suprem i auditimit shtetëror i rekomandon AMF-së forcimin e rolit mbikëqyrës përmes aplikimit konsekuent të kuadrit ligjor dhe ndërmarrjen e masave ndëshkuese që parashikohen në ligjin për sigurimet. Kjo gjë, sipas KLSH-së, është thelbësore për të garantuar një sistem financiar më të shëndetshëm dhe për të mbrojtur interesat e publikut.
Mungesa e masave konkrete nga organi mbikëqyrës ngre pikëpyetje të mëdha mbi efektivitetin e funksionimit të këtij institucioni, si dhe nevojën për reforma të brendshme që do të rigjallëronin mekanizmat mbikëqyrës dhe ndëshkues brenda tregut financiar jo bankar.