Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësimin në rritje lidhur me vonesat në formimin e institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në një koment të publikuar në rrjetin social Bluesky, ai theksoi rëndësinë e vendosjes së interesave të shtetit përpara atyre partiake, duke apeluar për veprim të shpejtë dhe përgjegjshmëri politike.
Në takimin me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadori Rohde u shpreh se situata politike aktuale përbën një shqetësim serioz për partnerët ndërkombëtarë. “Në peizazhin e sotëm global që po ndryshon me shpejtësi, veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe çështjet shtetërore duhet gjithmonë të vihen para politikave partiake”, deklaroi ai.
Pas gati tre muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ende të konstituohet, duke qenë se partitë kryesore parlamentare nuk kanë arritur marrëveshje për postin e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, si forcë fituese, nuk ka siguruar 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, në postin e kryetares. Procesi ka dështuar plot tetë herë që nga përpjekja e parë më 15 prill.
Kjo ngërç politik ka bllokuar formimin e qeverisë së re dhe rikthen në pah nevojën për një kompromis të shpejtë politik. Diplomacia gjermane, si një prej mbështetësve historikë të shtetndërtimit në Kosovë, kërkon maturi dhe vendimmarrje të përgjegjshme që i përgjigjet sfidave aktuale dhe angazhimeve ndërkombëtare të vendit.