Media italiane “La Stampa”, duke cituar burime nga Partia Demokratike në Itali, ka raportuar se 16 nga 41 emigrantët që zbarkuan së fundmi në kampin e Gjadrit, Lezhë, rezultojnë të zhdukur. Aktualisht, vetëm 25 prej tyre ndodhen ende në kamp, ndërsa fati i pjesës tjetër mbetet i paqartë.
Sipas raportimit, nuk dihet nëse këta emigrantë janë rikthyer në Itali me qëllim riatdhesimin ose janë transferuar në dhoma izolimi si pasojë e revoltës që ndodhi dy javë më parë në kamp. Kjo protestë u zhvillua pasi disa prej tyre shprehën pakënaqësi për kushtet e qëndrimit dhe pasigurinë për të ardhmen e tyre.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar për situatën e këtyre 16 personave. Kjo mungesë transparence po shton dyshimet dhe shqetësimet, jo vetëm tek organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por edhe tek opinioni publik në Itali dhe Shqipëri.
Kampi i Gjadrit është krijuar në kuadër të një marrëveshjeje midis Shqipërisë dhe Italisë për menaxhimin e flukseve migratore. Qëllimi i këtij kampi është përpunimi i kërkesave për azil të shtetasve të huaj, shumica e të cilëve janë afrikano-veriorë që tentojnë të hyjnë në BE përmes Italisë.
Zhvillimet e fundit kanë vënë në pikëpyetje transparencën dhe efektivitetin e këtij bashkëpunimi ndërqeveritar. Për më tepër, mungesa e përgjigjeve konkrete nga autoritetet shqiptare dhe italiane rëndon edhe më tej klimen e mosbesimit rreth trajtimit të emigrantëve në këtë strukturë.
Zhvillimi i ngjarjeve në ditët në vijim pritet të jetë vendimtar për sqarimin e fatit të këtyre 16 emigrantëve dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të tyre njerëzore.