Në vitin 2025, Rilindja përmbyll 12 vite në pushtet—peridha më e gjatë e një force politike pas viteve ’90. Me 8 vite qeverisje e vetme, pa koalicione dhe pa opozitë efektive në kuvend, pritej një reformim i thellë i institucioneve, ekonomisë dhe mirëqenies qytetare. Por në vend të progresit të premtuar, bilanci pasqyron një listë të gjatë dështimesh sistematike, ndërkohë që vëmendja përpiqet të spostohet drejt premtimeve optimiste për afrimin me BE-në deri në vitin 2030.
Ndër më të spikaturat janë: dështimi në reformën në drejtësi, e cila u shoqërua me kapje institucionale dhe emërime politike; privatizimi i burimeve strategjike pa transparencë dhe në dëm të interesit publik; dështimi në menaxhimin e krimeve të organizuara dhe kultivimit të drogës, ku Shqipëria është shndërruar në pikë të rëndësishme trafiku në Europë.
Sistemi arsimor dhe ai shëndetësor mbesin ndër më të dobëtit në rajon, me emërime klienteliste dhe mungesë financimi real. Ndërtimet pa kriter dhe amnistitë ndërtimore kanë çuar në urbanizim kaotik dhe shkatërrim mjedisor. Vendimet me PPP e koncesione kanë gjeneruar borxhe të larta dhe mungesë llogaridhënieje.
Shtypi dhe institucionet e kontrollit janë dobësuar ndjeshëm, duke lënë pak hapësirë për transparencë apo debat publik. Emigrimi masiv i të rinjve është simptomë e dështimit në ofrimin e shpresës për një të ardhme në vend. Zgjedhjet janë vazhdimisht të kontestuara për blerje vote dhe presione të strukturuara shtetërore.
Këto 12 vite kanë sot një simbolikë të fortë: një cikël premtimesh të pambajtura, shpresash të zhgënjyera dhe një kërkesë legjitime për ndryshim e llogaridhënie në vend të metaforave.